Ceremonia hapëse e Shkollës Verore Evropiane

Date September 26, 2016 - September 26, 2016

Në datën 26 shtator në ambientet e Kryesisë së Kuvendit është zhvilluar ceremonia hapëse e Shkollës Verore Evropiane.

Të pranishëm në këtë aktivitet, Kryetari i Kuvendit, Z. Ilir Meta, kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Znj. Romana Vlahutin, Zv.Ministrja e Integrimit Europian, Znj. Erisa Xhixho, Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Z. Knut Fleckestein, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Z. Andi Dobrushi, Koordinator i Përhershëm i Kombeve të Bashkuara, Z. Brian J. Williams dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Z. Nikolin Jaka.

Në datat 26-30 shtator 2016, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit zhvillohet raundi i parë i Shkollës Verore Evropiane, e organizuar nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, në partneritet me “College of Europe”, Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe Rrjetin e Informimit të Bashkimit Evropian.

Shkolla Verore synon të lehtësojë identifikimin e aktorëve të mundshëm të Ekipit Negociator për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, si dhe të krijojë një grup ekspertësh me njohuri të thella mbi procesin e vendimmarrjes dhe anëtarësimit në BE, përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional në nivel kombëtar, si dhe krijimin e rrjeteve efektive të bashkëpunimit.

Leksionet do të mbahen nga profesorë të Kolegjit i Europës (Bruges), ekspertë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar për Integrimin Europian, si dhe nga përfaqësues të ftuar nga Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria, dhe Bashkimi Europian, të cilët do të diskutojnë më pjesëmarrësit mbi procesin e Integrimit Europian të Shqipërisë.