Transparenca dhe pjesëmarrja e publikut në hartimin e politikave buxhetore ka qenë dhe mbetet një problem në Shqipëri. Edhe pse janë bërë hapa të rëndësishëm për të rritur pjesëmarrjen qytetare në hartimin e buxhetit në nivelin vendor, duke aplikuar shumë forma pjesëmarrjeje si dëgjesat publike apo buxhetimin me pjesëmarrje, pjesëmarrja qytetare në nivelin qendror mbetet një fushë ku ende nuk po bëhet progres. Transparenca është e rëndësishme, ndërkohë që pjesëmarrja e publikut në buxhet mund të maksimizojë rezultate pozitive që lidhen me performancën më të mirë buxhetore. Pjesëmarrja e publikut dhe grupeve të interesit duhet të realizohet në tre momente: momentin e hartimit të buxhetit nga ministritë dhe Qeveria; momentin e diskutimit të buxhetit në Parlament; monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të buxhetit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Eksperienca në Shqipëri tregon se grupet e interesit dhe publiku nuk marrin pjesë në hartimin e verifikimin (auditimin) e buxhetit, ndërkohë që ka disi pjesëmarrje gjatë procesit legjislativ.
Me mbështetjen e Fondacionit Shoqeria e Hapur për Shqipërinë, Europartners synon të rrisë angazhimin e shoqërisë civile në drejtim të përmirësimit së transparencës së buxhetit dhe debatit qytetar në vendmarrjen e buxhetit publik në nivelin qendror. Duke ndikuar në rritjen e presionit nga ana e shoqërisë civile ndaj administratës qendrore lidhur me orientimin e fondeve në përputhje më angazhimet strategjike të planifikuara nga Qeveria në dokumentat strategjike dhe do të orientohen fondet aty ku nevojat janë më të mëdha.
Objektivat speficike të projektit janë:
- Rritja e transparencës në proçesin e hartimit dhe zbatimit të Programit Buxhetor Afatmesëm (PBA) dhe Buxhetit Vjetor.
- Përmirësimi i orientimit të fondeve buxhetore nëpërmjet sigurimit të diskutimit të hapur publik të niveleve të financimit dhe orientimit të buxhetit.
Projekti do të realizohet në dy faza:
Faza e parë: Informim dhe ngritje kapacitetesh përfshin informimin dhe trajnimin e organizatave të shoqërisë civile lidhur me përmbajtjen e Buxhetit të vitit 2018 dhe dokumentit të PBA-së 2018-2020, si dhe si duhet të ‘lexojnë’ dhe kuptojnë dokumentin e PBA-së dhe dokumentin e buxhetit.
Faza e Dytë: Mbështetje e pjesëmarrjes direkte të organizatave të shoqërisë civile në shqyrtimin e PBA 2019 – 2021 dhe Buxhetit 2019 dhe dhënien e opinionit lidhur me atë se si prioritete të caktuara dhe të rëndësishme për publikun dhe qytetarët mund të reflektohen në dokumentat e buxhetit. Gjatë kësaj faze, me organizatat e shoqërisë civile (Prill – Qershor 2018) do të shqyrtohet dhe do të analizohet se si realisht reformat e deklaruara nga Qeveria si prioritare janë të mbështetura me buxhet.
Projekti parashikohet të zhvillohet në 11 muaj.