Të nderuar miq dhe bashkëpunëtorë, ditën e martë dt. 16 Dhjetor 2014, në oren 18:30, tek Muzeu Historik Kombëtar “Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” sëbashku me disa artistë të rinj organizon ekspozitën e artit pamor dhe audio-vizual “Fshirje”, në mbështetje të së drejtës për strehim. Mirëpresim praninë tuaj.
Ekspozita “FSHIRJE” vjen si një përpjekje për të përcjellë sigurinë e strehimit si një e drejtë njerëzore universale. Streha – e konsideruar si një hapsirë ku subjekti mbrohet nga mjedisi i jashtëm, por edhe si një habitat ku zhvillohet jeta në përmasën e saj individuale dhe sociale -, nëpërmjet elementëve artistik të kësaj ekspozite, paraqitet e kërcënuar me një dhunë atavike nga zhvillimi urban me karakter estetik ose/dhe ekonomik. Koncepti artistik i “FSHIRJES” dëshmon procesin e mbivendosjes së një realiteti të ri urban mbi atë fillestar, pa marr në konsideratë të drejtën e këtij të fundit për të ndikuar në përcaktimin e shtratit të zhvillimit si dhe pasojave te tij. Banesa, një prej hapësirave më intime të njeriut, vendoset në qëndër të këtij tensioni midis asaj që ekziston dhe asaj që planifikohet dhe projektohet si realiteti i ri shoqëror dhe qytetar.
Ekspozita qendron e çelur nga dt. 16-18 dhjetor 2014