Gjykata Administrative e Apelit konfirmon fajësinë e Ministrisë së Mbrojtjes për shpërthimin e Gërdecit

Date February 14, 2017 - February 14, 2017

Tiranë, më 14.02.2017

Deklaratë për shtyp

Gjykata Administrative e Apelit konfirmon fajësinë e Ministrisë së Mbrojtjes 
për shpërthimin e Gërdecit

Në vitin 2011, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë u depozituan paditë e familjarëve të viktimave të shpërthimit të Gërdecit, të cilët kërkuan shpërblimin e dëmit për humbjen e jetës së të afërmve të tyre më 15 Mars 2008. Këto çështje më pas u transferuan në kompetencë të Gjykatës Administrative, pasi kaluan më parë përmes instancave të ndryshme gjyqësore duke përfshirë në disa raste edhe gjykimin për kontroll incidental në Gjykatën Kushtetuese në vitin 2012, gjykimet për kompetencën lëndore në Gjykatën e Lartë në vitin 2014. 

Pas një kalvari të gjatë seancash gjyqësore, Gjykata Administrative e Apelit ka nisur marrjen në shqyrtim të ankimeve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ndërmarrjes shtetërore MEICO, të cilat pretendojnë se nuk janë përgjegjëse për shpërthimin dhe humbjen e jetës së 26 viktimave dhe qindra të plagosurve në shpërthimin e Gërdecit. Në datën 25 janar 2017 gjykata ka pranuar padinë e parë të kësaj natyre duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila ngarkoi me përgjegjësi autoritetet shtetërore, duke e klasifikuar këtë ngjarje si një krim shtetëror. 

Bazuar në këto premisa Gjykata Administrative të Apelit, e gjeti të drejtë kërkesëpadinë e familjarëve të të ndjerit Arben Ase, duke vendosur detyrimin për Ministrinë e Mbrojtjes, MEICO dhe shoqërinë ALBADEMIL që të shpërblejnë dëmin e shkaktuar nga shpërthimi i Gërdecit,  si pasojë e veprimtarisë së kundraligjshme të tyre. Ky Vendim tashmë është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm.

Kjo është vetëm çështja e parë që përfundon në Gjykatën Administrative të Apelit nga çështjet e ndjekura nga qendra Res Publica, ndërkohë që në pritje janë edhe 36 çështje të tjera, të cilat pritet të kenë të njëjtën ecuri. 

Të gjitha këto çështje janë ndjekur nga qendra Res Publica me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Drejtori Ekzekutiv i qendrës Res Publica, Z. Dorian Matlija u shpreh se “Kjo ishte një sipërmarrje e vështirë, në një kohëzgjatje të madhe, që u realizua me këmbëngulje edhe falë mbështetjes së Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, i cili e ka mbështetur i vetëm këtë nismë që në fillim. Tashmë mirëpresim ekzekutimin e këtij vendimi në mënyrë vullnetare dhe pa zvarritje nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, gjë që do të rriste edhe vlerësimin e publikut për institucionet”. 

Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Z. Andi Dobrushi, u shpreh se: “Ky është lajm i mirë për ato familje që përpos fatkeqësisë, njohën edhe zvarritjen e proceseve gjyqësore për shkak të një sistemi që pengonte aksesin në gjykatë, sidomos përmes aplikimit të taksave dhe kostove të papërballueshme të gjyqeve, në kundërshtim me Konventën Evropiane”.