Për të promovuar risitë e ligjit të porsa miratuar nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, Fondacioni në bashkëpunim me Komisionerin e të Drejtës së Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale, organizoi në 17 dhjetor 2014 një konferencë kombëtare me përfaqësues të të gjithë autoriteteve publike. Ky takim u mbështet nga Kryetari i Kuvendit Z. Ilir Meta dhe Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike Znj. Milena Harito. Ligji “Për të drejtën e informimit” garanton njohjen e qytetarëve me informacionin publik, mundëson një mjedis transparent dhe gjithpërfshirës si dhe përmirëson dialogun institucion shtetëror – qytetar.
Miratimi i ligjit “Për të drejtën e informimit” nga Kuvendi i Shqipërisë në 2014, është një histori suksesi e bashkëpunimit të gjithë aktorëve të shoqërisë civile që bënë të mundur lobimin dhe garantuan përfshirjen e grupeve të interesit, si edhe e bashkëpunimit të treguar nga institucionet shtetërore.
Z. Andi Dobrushi, Drejtor ekzekutiv i Fondacionit theksoi se rëndësia e këtij ligji qëndron te rritja e transparencës dhe llogaridhënies si edhe te respektimi i së drejtës për informim, si një e drejtë themelore kushtetuese që do të garantojë rritjen e pjesëmarrjes së publikut në qeverisje, lehtësimin dhe zbatimin e politikave dhe rregullave që pasqyrojnë në mënyrë adekuate nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve.
Nëse dëshironi të lexoni fjalën e plotë të Drejtorit ekzekutiv të Fondacionit, Z. Andi Dobrushi, mund të klikoni këtu.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Z. Besnik Dervishi shprehu angazhimin maksimal të institucionit që ai drejton në zbatimin rigoroz të ligjit “Për të drejtën e informimit”. Gjithashtu, në ushtrim të kompetencave të tij, Komisioneri prezantoi modelet e programit të transparencës, kërkesës për informacion, rregjistrit të kërkesave dhe përgjigjeve, dokumenta këto që duhen hartuar dhe përditësuar nga të gjithë autoritetet publike.