Burimi i fotos: Agjencia Telegrafike Shqiptare (link)
Gjithnjë e më shumë, digjitalizimi përcakton mënyrën si jetojmë, në veprime dhe në ndërveprime mes nesh. Në mënyrë që fëmijët e sotëm të mos jenë në të ardhmen vetëm konsumatorë pasivë të përmbajtjeve digjitale, dhe për t’u pajisur me aftësitë e nevojshme për të kuptuar dimensionet e botës që i rrethon, ata duhet të mësojnë sistematikisht për proceset digjitale dhe teknologjitë që i mundësojnë ato. Ashtu si për çdo njohuri tjetër konvencionale, krijimi i shprehive digjitale dhe përftimi i dijeve mbi to, është më i plotë nëse ndodh që në vegjëli.
Baza e krijimit dhe menaxhimit të përmbajtjes digjitale është programimi sipas gjuhëve të kodimit. Njohja e këtyre gjuhëve përveçse përbën një nga aftësitë më të kërkuara në jetën profesionale, ka përfitime të gjithanshme për botëkuptimin e fëmijëve dhe veçoritë pozitive në sjelljen e tyre. Meqenëse gjuhët e programimit krijojnë përmbajtje, ato u japin mundësi të pafundme përdoruesve që të shprehin e kultivojnë krijimtarinë e tyre në mënyrë aktive.
Për këtë arsye, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) po mbështet Qeverinë Shqiptare në nismën për të futur kodimin si pjesë të kurrikulave të arsimit parauniversitar dhe për të zhvilluar në tërësi kompetencat digjitale tek fëmijët dhe të rinjtë. Projekti pilot do të zbatohet në 100 shkolla në vitin 2022-2023. Ai do të vendosë lëndën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) që në klasë të parë, si dhe do të përditësojë kurrikulat ekzistuese për klasat e tjera dhe mënyrat e mësimdhënies aktuale për lëndën e TIK-ut sipas metodave më bashkëkohore për të gjithë arsimin parauniversitar.
OSFA do të kontribuojë me një fond prej 500,000 USD në ndërtimin dhe pajisjen e laboratorëve të rinj inteligjentë me mjetet bashkëkohore e të nevojshme digjitale, sipas specifikimeve teknike të përcaktuara tashmë për laboratorët inteligjentë nga institucionet kompetente. Laboratorët do të krijojnë kushtet e duhura për zhvillimin e aftësive në kodim, por edhe në krijimin e formimit të përgjithshëm për aftësitë specifike dhe botën digjitale.
Mbështetja për Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët vjen në koordinim edhe me mbështetjen e dhënë nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), të cilët gjithashtu janë pjesë e bashkëpunimit trepalësh me krijimin e laboratorëve, mbulimin e plotë të trajnimit të mësuesve të lëndës TIK-ut dhe platformës online për të mbështetur për 4 vite mësimdhënien në klasat I, II dhe III.
Faza e parë e pilotimit në 100 shkolla në vend, të shpërndara gjeografikisht mes zonave urbane e rurale, do të pajisë laboratorët inteligjentë me produkte të teknologjisë së lartë, si Tabelat Interaktive për mësimdhënie (smartboards), lap-top modernë dhe kompjuterë të vegjël për programim. Nga këto laboratorë do të përfitojnë afërsisht 7,500 nxënës të cilët do të përfshihen në kurrikula të reja të krijuara enkas nga projekti, ndërsa 65,000 të tjerë nga klasat I-IX do të përfitojnë nga aksesi në to.
Në terma afatgjatë, programi synon transformimin e sistemit të mësimdhënies së TIK-ut në kurrikulat para-universitare nga klasa e I-XII, përmes kurrikulave të përditësuara, trajnimit të mësuesve dhe pajisjes së ambienteve shkollore me infrastrukturën e nevojshme për të kryer mësimdhënien cilësore të kësaj lënde. Gjithashtu, synohet përhapja sa më shpejt në rreth 1,200 shkolla në të gjithë vendin, duke i pajisur me smartlabs dhe zbatuar përdorimin e kurrikulave të reja apo të përditësuara.
Për më shumë informacion mbi projektin na kontaktoni në info@osfa.al