Instituti Shqiptar për Studime Politike në kuadër të mbështetjes së ofruar nga Fondacioni i ka drejtuar Ministrisë së Drejtësisë një letër të hapur që lidhet me jetësimin në praktikë të ligjit të ri të miratuar “Për të drejtën e informimit”.
Ky bashkëpunim realizohet në kuadër të projektit “Monitorim i transparencës dhe sjelljes së administratës gjyqësore ndaj publikut. Fushatë informuese nën moton: Qytetarët denoncojnë dhe ndëshkojnë”.
Qëllimi i këtij projekti është rritja e transparencës dhe monitorimi i zbatimin e ligjit të ri “Për të drejtën e informimit” në gjykatën administrative të rrethit gjyqesor dhe të Apelit Tiranë, si dhe rritja e ndërgjegjes qytetare në funksion të parandalimit të kulturës së pandëshkueshmërisë së zyrtarëve dhe titullarëve të institucioneve.
Letra drejtuar Ministrit të Drejtësisë ka për synim të adresojë problematikën e kapaciteteve të kufizuara administrative dhe burimeve njerëzore në implementimin tërësor të këtij ligji. Në rrethanat aktuale të strukturës gjyqësore dhe administrative të dy gjykatave në proces monitorimi, Instituti i është drejtuar Ministrit të Drejtësisë bazuar në autoritetin përkatës për të miratuar ndryshimet e duhura në organikë, sipas kërkesës edhe të vetë gjykatave, për të mundësuar jetësimin e detyrimit ligjor për emërimin e koordinatorit për të drejtën e informimit. Detyrimi për emërimin e koordinatorit ka hyrë në fuqi që në datën 2 Nëntor 2014. Shqyrtimi nga ana e Ministrisë së Drejtësisë i kësaj kërkese dhe realizimi i saj do të ishin një mbështetje me rëndësi në procesin e implementimit të ligjit, të rritjes së transparencës dhe të shërbimit më cilësor dhe më të drejtë ndaj qytetarëve.