Ngritja e kapaciteteve të profesionistëve të kujdesit shëndetësor për të ofruar shërbimimin e kujdesit paliativ

Date October 4, 2013 - October 4, 2013

Location Albania

Featured Image

Në kuadër të bashkëpunimit të Programit të Shëndetit Publik (OSFA) dhe Iniciatives Ndërkombëtare për Kujdesin Paliativ (OSF NY), u mundësua realizimi i kursit ELNEC (End-of-Life Nursing Education Consortium) për herë të parë në Shqipëri, me një kurrikul të njohur në mbarë botën dhe kohëzgjatje tre ditore. Kursi u drejtua nga lektorët e AACN (American Association of Colleges of Nursing) me një formim klinik dhe akademik shumë vjeçar në këtë fushë.

Nisma u organizua nga stafi i Qendrës së Kujdesit Paliativ “Mary Potter” në Korcë, e cila me një përkushtim të admirueshëm realizoi zhvillimin mjaft cilësor të aktivitetit, duke mundësuar që një numër prej rreth 40 profesionistësh të ardhur nga gjithë Shqipëria të mund të zgjeronin njohuritë e tyre dhe të përforconin aftësitë në fushën e këtij shërbimi shëndetësor. Ky kurs synonte të përfshinte infermierë udhëheqës tashmë të trajnuar në kujdesin paliativ, në mënyrë që informacioni të përcillej tek infermierët e tjerë në qendrat e tyre të punës. Ata vinin nga organizatat ofruese të kujdesit paliativ në vend, skuadrat vullnetare të ngritura nga Qendra “Mary Potter” gjatë vitit 2013 si dhe profesionistë të shëndetësisë të cilët kanë spikatur për interesin e tyre në fushën e kujdesit paliativ.

Materialet e kurrikulës së ELNEC janë përkthyer në gjuhën shqipe duke i kushtuar vëmendjen e posaçme edhe prezantimit të tyre. Përgatitja e këtyre kurrikulave në gjuhën shqipe e renditi Shqipërinë në listën e vendeve të cilat i kanë përkthyer dhe përgatitur këto materiale në gjuhën e tyre.

Ky aktivitet u njoh nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV) duke e vlerësuar atë me 21 kredite.