Nxitja e aktivizimit të komunitetit në drejtim të mbrojtjes së konsumatorit 2015

Date December 20, 2015 - December 20, 2015

Gjatë vitit 2015, në kuadër të projektit “Nxitja e aktivizimit të komunitetit në drejtim të mbrojtjes së konsumatorit”, është realizuar një hulumtim i plotë i efektivitetit të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit. Informacioni i marrë nga ky hulumtim ofroi një panoramë të përgjithshme, zyrtare të ankesave të konsumatorëve shqiptarë për një periudhë  pothuaj 5 vjeçare, 2010 – 2015, përmbledhje e cila nuk ekziston në Shqipëri dhe nuk ka as të dhëna zyrtare, ku u arrit në përfundimin se funksioni i institucioneve në mbrojtje të konsumatorit nuk është efektiv.

Ky projekt për herë të parë preku të gjitha aspektet praktike të ligjit për “Mbrojtjen e Konsumatorëve” duke trajtuar të drejtat e konsumatorit, të gjithë hierarkinë e institucioneve me mënyrat e ankimit për shërbimet publike dhe jo vetëm, për produktet ushqimore dhe joushqimore, për kontratat, për kreditë konsumatore etj. Për të rritur nivelin e ndërgjegjësimit të konsumatorit shqiptar për të drejtat e tij, ku të ankohet dhe si të ankohet, u ndërmorën një sërë aktivitetetesh:

1. Hartimi i katër fletëpalosjeve dhe shumëfishimi i tyre në 8,000 kopje të shpërndara në qytetin e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Këto fletëpalosje ofruan një edukim informal dhe informim në lidhje me konceptet kryesore që çdo konsumator, vulnerabël apo mesatar, duhet të zotërojë. 

2. U trajnuan 50 intervistues dhe aktivistë duke ngritur kështu kapacitetin e këtyre grupeve dhe të  njerëzve të tjerë në  lidhje me të  drejtat dhe format e ankimimit shumë pak të njohura deri më tani edhe nga konsumatori mesatar. Përgjatë periudhës tetor – dhjetor aktivistët nga shumë qytete të Shqipërisë mblodhën informacione nga terreni nëse ekzistojnë struktura të mbrojtjes së konsumatorit në bashkitë e reja ndërsa intervistuesit qëndruan pranë pikave të shërbimeve publike në Tiranë, Durrës dhe Elbasan duke informuar, ndihmuar, raportuar dhe mbledhur një numër të konsiderueshëm ankesash nga qytetarët. Qytetarët, të ndihmuar nga aktivistët, ndoqën ankesat e tyre në rrugë institucionale. 

3. Të  drejtat e konsumatorit në paketat turistike, ndërmjetësimi për çështjet konsumatore, reagimi institucional, ndërgjegjësimi i konsumatorëve dhe mbrojtja e tyre dhe të tjera çështje me në fokus konsumatorin janë trajtuar në disa dalje mediatike. 

Së fundmi, rezultatet e projektit janë diskutuar në dy takime të rëndësishme më institucionet përgjegjëse për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Drejtorinë e Tregut të Brendshëm dhe Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorëve në Bashkinë e Tiranës ku rekomandohet si e nevojshme përmirësimi i informacionit në lidhje me legjislacionin për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve duke nisur me kurrikulat në arsimin parashkollor, fushata ndërgjegjësuese dhe aktivizim më të madh të shoqatave që kanë fokus mbrojtjen e konsumatorëve.