Fondacioni, në bashkëpunim me qendrën “Konsumatori Shqiptar” dhe aktivistët e Forumit të Aktivizmit, zbatoi për të dytin vit radhazi përgjatë 2016 një projekt të dedikuar mbrojtjes së konsumatorit.
Projekti synoi nxitjen dhe ndërgjegjësimin e konsumatorëve dhe rritjen e nivelit të reagimit të institucioneve publike në trajtimin e çështjeve të lidhura me të drejtat e konsumatorëve, mbrojtjen e interesave të tyre dhe veprimin e institucioneve kur shkelen të drejtat e konsumatorëve.
Përgjatë dy viteve janë dërguar mbi 100 kërkesa për informim apo ankim institucioneve të ndryshme përkatësisht: Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve, Agjensisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, Avokatit të Popullit si dhe ministrive apo organeve të tjera qendore në lidhje me përmbushjen e detyrave të tyre që rrjedhin nga Strategjia “Për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbikqyrjen e tregut 2020”. Gjithashtu janë dërguar dhe ankesa për mosdhënien e informacionit nga ana e këtyre organeve pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Si pasojë e numrit të madh të ankesave të dërguara në lidhje me operatorët e telefonisë celulare, Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë, dhe Sipërmarrjes (MZHETTS) miratoi dhe mundësoi nënshkrimin e Kodit të Sjelljes nga operatorët e telefonisë celulare. Në këtë mënyrë është monitoruar jo vetëm transparenca e kompanive por dhe niveli i zgjidhjes së ankesave të konsumatorëve.
Një nga objektivat e projektit ishte të ndikonte në vendimarrje në interes të konsumatorit shqiptar dhe për këtë Qendra morri pjesë rregullisht në konsultimet publike që u bënë në lidhje me amendimet e ligjit nr.9902, datë 17.04.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve” duke i dërguar të gjitha komentet e saj.
Në bashkëpunim me MZHETTS dhe projektin ‘Mbështetje për harmonizimin e legjislacionit ekonomik dhe tregtar shqiptar me acquis të BE-së’ i financuar nga German Federal Ministry for Economic Cooperation and Development (BMZ), është në plan përgjatë 2017 ngritja e qendrave të këshillimit të konsumatorëve pranë njësive të qeverisjes vendore.
Qendra “Konsumatori Shqiptar” është marrë posaçërisht edhe me raste të helmimeve të qytetarëve nga ushqimi në restorante, duke ofruar konsulencë juridike dhe teknike për ndjekjen e çështjes në prokurori duke bashkëpunuar ngushtësisht edhe me gazetarët e BIRN Albania edhe për çështje të tjera investigative për sigurinë ushqimore.
Për të angazhuar më shumë të rinjtë në informimin dhe promovimin e të drejtave të konsumatorëve, Fondacioni shpalli Konkursin për Video për Mbrojtjen e Konsumatorit i cili përzgjodhi 5 fitues dhe i promovoi videot e tyre për disa javë në faqen e Facebook të Fondacionit dhe Qendrës “Konsumatori Shqiptar. Për të vizualizuar këto video mund të klikoni këtu.
Gjatë vitit 2016 u vazhdua promovimi dhe shpërndarja e katër fletëpalosjeve mbi mbrojtjen e konsumatorit. Këto fletëpalosje ofruan një edukim informal dhe informim në lidhje me konceptet kryesore që çdo konsumator duhet të zotërojë dhe si mund të ndjeki përgatitjen dhe ndjekjen e ankesave në rrugë institucionale. Për të konsultuar fletëpalosjet mund të klikoni këtu.
Përgjatë fundit të vitit 2015 dhe fillimit të vitit 2016 u përgatitën disa video të shkurtëra lidhur me: i) Situatën e konsumatorëve në Shqipëri; ii) Të drejtat e konsumatorëve pak të njohura nga shoqëria shqiptare; iii) Konsumatorë – Për çfarë, ku dhe si të ankohemi?; iv) Furnizimin me ujë – një e drejtë konsumatore që kërkon vëmendje; v) Ankimimi për problemet me furnizimin me energji elektrike. Për të shikuar videot mund të klikoni këtu.
Projekti synoi ndërgjegjësimin e medias për trajtimin e sa më shumë problemeve që lidhen me mbrojtjen e konsumatorit duke organizuar disa aktivitete mediatike:
- Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së të drejtave të Konsumatorëve në TV Scan tek Emisioni PërTëFol në 15 Mars 2016.
- Top Channel, Emisioni Pasdite në 24 Maj 2016.
- TV Scan, Emisioni PërTëFol – Të drejtat e pacienteve dhe mënyra e sjelljes së kompanive celulare pas nënshkrimit të Kodit të Sjelljes pranë KMK në 29 Tetor 2016.