Përfundon projekti: ‘Etnografia si urëlidhëse në marrëdhëniet e bashkëpunimit Shqipëri – Kosovë’

Date January 7, 2020 - January 7, 2020

Featured Image

Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA) me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) zbatoi me sukses projektin: ‘Etnografia si urëlidhëse në marrëdhëniet e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë’ përgjatë vitit 2019. Qëllimi kryesor i këtij projekti ishte përforcimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit të institucioneve kërkimore dhe të arsimit të lartë në fushën e studimeve etnografike, etnologjike dhe antropologjike mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në zbatimin e këtij projekti u përfshinë studentë, kërkues shkencore dhe pedagogë të Departamenti të Etnologjisë Tiranë, dhe Departamentit të Antropologjisë, Universiteti “Hasan Prishtina”, Prishtinë.

Ky projekt u konceptua si një ushtrim në fushën e kërkimit etnografik në fokusin e të cilit ishte eksplorimi i komuniteteve rurale dhe urbane që banojnë në zonat përreth kufirit shtetëror mes Shqipërisë dhe Kosovës. Pyetja kërkimore rreth të cilës u zhvilluan seanca teorike dhe metodologjike për studentët pjesëmarrës ishte rreth dokumentimit të efekteve dhe pasojave që ka patur dhe vijon të ketë kufiri shtetëror mes Shqipërisë dhe Kosovës për komunitetet e njerëzve që banojnë afër tij. Forma e dokumentimit etnografik që studentët përdorën ishte në etnografinë vizuale. Lënda empirike e mbledhur prej tyre, në drejtimin e mentorëve, u sintetizua në 4 dokumentarë të shkurtër etnografikë të cilët u shfaqën e në Laboratorin e Antropologjisë Vizuale.

Me temën Borders: memories, practices, ideals, (Kufijtë: Kujtimet, praktikat, idealet) Laboratori i Antropologjisë Vizuale u mbajt gjatë festivalit ndërkombëtar të dokumentarit Dokufest në 8-10 Gusht 2019 në Prizren. Për më shumë mbi aktivitetet mund të ndiqni duke klikuar këtu. Aktivitetet u pasqyruan gjerësisht edhe në media.

Pas takimit të Prizrenit dokumentarët janë shfaqur në Galerinë Kombëtare të Arteve (Tiranë) dhe në Prishtinë në Fakultetin Filozofik, ku pjesëmarrësit kanë diskutuar për potencialin që kanë kërkimet e përbashkëta etnografike dhe antropologjike dhe mundësinë që ofrojnë në zbërthimin e dinamikave të raporteve që kanë njerëzit me kufijtë. Mbi premisën e bashkëpunimit të krijuar nga ky projekt Departamenti i Etnologjisë (IAKSA) dhe Departamenti i Antropologjisë (UP) kanë përgatitur një marrëveshje kuadër e cila synonë të nxisë bashkëpunimin në fushën e kërkimit shkencor dhe mësimdhënies në fushën e etnografisë, etnologjisë dhe antropologjisë midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Për të zhvilluar më tej fushën e kërkimeve etnogrfike vizuale, Fondacioni Shoëria e Hapur për Shqipërinë i dhuroi Departamentit të Etnologjisë (IAKSA) disa pajisje për ngritjen e laboratorit të antropologjisë vizuale.

Me temën ‘Shoqëri në kufi’, në kuadër të projektit u përgatit një dokumentar i gjatë dhe disa dokumentarë të shkurtër etnografik:

  1. Dokumentari i gjatë i përgatitur nga regjisori Elton Baxhaku me temë: ‘Tregime nga kufiri: Kujtesa, praktika, ideali’ të cilin shikoni duke klikuar këtu. Dokumentari paraqet historitë njerëzore të individëve që jetojnë në hapësirën rreth kufirit midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe si është ndikuar jeta e tyre nga vendosja e kufirit duke sjellë për publikun dinamikat e forta të këtij ndikimi.
  2. Dokumentar i shkurtër me temë ‘Kroni’ i përgatitur nga Anduena Halilaj dhe Lekë Shalla të cilin mund ta ndiqni duke klikuar këtu.
  3. Dokumentar i shkurtër me temë ‘Veturë 660’ i përgatitur nga Eros Dibra & Elison Ramovi të cilin mund ta ndiqni duke klikuar këtu.
  4. Dokumentar i shkurtër me temë ‘Vija e Hollë e Çelikut’ i përgatitur nga Nol Berisha dhe Urtesa Zeneli të cilin mund ta ndiqni duke klikuar këtu.
  5. Dokumentar i shkurtër me temë ‘Offside’ i përgatitur nga Shpat Shkodra dhe Ylli Bylykbashi të cilin mund ta ndiqni duke klikuar këtu.

Në kuadër të projektit të mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqioërinë, Departamenti i Antroplogjisë (IAKSA) përgatiti Raportin Studimor: Shoqëritë në kufi i cili synon të ndërtojë një njohjeje më të thelluar dhe objektive të marrëdhënies midis shoqërisë shqiptare dhe asaj kosovare, e cila vijon të ndërmjetësohet dhe kushtëzohet prej kufirit shtetëror. Synimi i autorëve është që ky studim, në tërësinë e tij, të fitojë përmasën e një reference të rëndësishme për të gjithë aktorët e interesuar në njohjen e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë. Hulumtimi etnografik bazohet midis të tjerave në intervistat me banorët në fshatrat dhe qytetet kufitare Kukës, Has, Lumë, Gor, Has, Krumë, Prizren, Gjakovë. Për më shumë mund të lexoni raportin studimor.