Projekti synoi të ofrojë një qasje të integruar për rritjen e kapaciteteve dhe pronësisë lokale të shoqërisë civile, pushtetit vendor dhe aktorëve të tjerë për përvetësimin dhe menaxhimin më të mirë të asistencës financiare të Bashkimit Europian (BE) ofruar përmes instrumentave të ndryshëm.
Metodologjia e përdorur përfshiu organizimin e analizave, nxitjes së debatit, ofrimit të trajnimeve, përgatitjes së lajmeve periodike dhe informacioneve praktike javore për përfituesit dhe përditësimin e platformës së internetit e cila ofron informacion të detajuar dhe të integruar mbi të gjitha programet e financimit të BE nga të cilët përfiton Shqipëria.
Një theks i veçantë u vu në ngritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile por edhe të bashkive të reja të dala pas zgjedhjeve të 21 Qershorit 2015. Një nga qëllimet e reformës territoriale të zbatuar nga Qeveria Shqiptare është edhe forcimi i aftësive përthithëse të bashkive, por edhe të qarqeve sa i përket financimeve që ofrohen nga BE.
Përgjatë 2017 aktivitetet kryesore të realizuara ishin:
- Në bashkëpunim me Shkollën Shqiptare për Administratën Publike (ASPA) u organizuan mbi 5 trajnime 1-ditore në qarqe të ndryshme të Shqipërisë (kryesisht qarqe kufitare) në lidhje me instrumentet financiare të BE-së për pushtetin lokal dhe specifikisht në lidhje me Procedurat e Aplikimit për Fondet e Bashkimit Europian IPA Bashkëpunimi Ndërkufitar. Trajnimet janë organizuar pikërisht në kohën kur ishin hapur thirrjet e para për propozime në kuadër të Bashkëpunimit Ndërkufitar e Transnacional. Në këto sesione morën pjesë 79 pjesëmarrës nga 17 bashki. Përfaqësuesit ishin nga drejtoritë e integrimit europian, drejtoritë e politikave të zhvillimit ekonomik, e financave dhe buxhetit, të qarkut dhe anëtarë të këshillit bashkiak.
- Organizimi i trajnimeve në tre faza: i) 2015 me informacione të përgjithshme; ii) 2016 me informacione specifike mbi thirrjet e hapura dhe zhvillimi i projekteve; iii) 2017 me trajnime të targetuara lidhur me thirrjet për propozime të shpallura nga BE; ka forcuar kapacitetet dhe rritur njohuritë e bashkive dhe shoqërisë civile duke i bërë më aktive në pjesëmarrjen në thirrjet për propozime. Trajnimet janë pjesë e moduleve të përgatitura në bashkëpunim me ASPA-n të cilat kanë vijuar me sukses edhe mbas mbarimit të projektit.
- Përfituesit arritën jo vetëm të përftojnë informacion në lidhje me fondet e BE-së por edhe të vënë në praktikë njohuritë e tyre nëpërmjet ushtrimeve praktike. Trajnimet janë organizuar në kohën kur thirrjet e BE-së IPA BNK ishin të hapura dhe interesi për të marrë pjesë dhe angazhuar gjatë trajnimeve ka qënë shumë i madh.
- Përmirësimi i informacionit të publikut mbi procesin e integrimit dhe mbështetjes financiare të ofruar nga BE nëpërmjet fuqizimit të faqes së internetit www.euforalbania.info. Kjo faqe përmban informacion mbi të gjitha thirrjet e BE-së për Shqipërinë, burimet e ndryshme të financimit, njoftimet për thirrjet, etj. Kjo faqe përmban edhe informacione mbi trajnimet, si dhe ke mundësi të marrësh përgjigje nga ekspertët për pyetje specifike. Faqja përmban informacione të detajuara, guidë të aplikimeve të mundshme dhe informacionet kanalizohen dhe ndahen sipas llojit të programit dhe tipologjisë të përfituesit.


Për më shumë informacion lidhur me organizimin e trajnimeve vizitoni www.euforalbania.info dhe faqen e Facebook.