Përfundon projekti ‘Koalicioni qytetar për ndikimin, monitorimin dhe promovimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë 2016’

Date December 27, 2016 - December 27, 2016

Featured Image

Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich-Ebert-Stiftung Zyra për Shqipërinë, themeluan në vitin 2015 Forumin e Politikave të Integrimit /EU Policy Hub (EUPH), i cili angazhon profesionistë të rinj që do të kontribuojnë në krijimin e sinergjive për integrimin e vendit në BE, nëpërmjet krijimit dhe funksionimit të një strukture ku do të promovohet, monitorohet dhe të ndikohet në ecurinë e procesit të integrimit evropian.

EUPH është një komunitet i ri dhe proaktiv i shoqërisë civile, me qendër në Tiranë. Ai mbledh 30 profesionistë të rinj (kryesisht të kthyer nga universitetet evropiane) që vijnë nga disiplina të ndryshme, kryesisht nga shkencat shoqërore, por edhe më gjerë. EUPH ka një strukturë me katër shtylla, të cilat konsistojnë  në  monitorimin, kërkimin dhe komunikimin e procesit të integrimit, si edhe rrjetëzimin dhe ndërtimin e partneriteteve me aktorë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit. Me rëndësi të veçantë është të pasurit të disa prej anëtarëve të EUPH në Bruksel, Romë dhe Athinë, çka mundëson një ndërveprim të drejtperdrejtë me aktorë të rëndësishëm evropian.

Deri më tani EUPH ka arritur të nxisi debate të bazuara në evidenca mbi nevojën për të rritur më tej përfshijen e qytetarëve në procesin e integrimit, së bashku me gjenerimin e analizave mbi politika të ndryshme të procesit të negocimit dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

EUPH shërben si një zë i pavarur në cilësinë dhe zbatimin e proceseve kombëtare të reformave në Shqipëri. Ai ka për qëllim të bashkëveprojë me aktorët vendas dhe rajonal, duke nxitur një debat publik mbi hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me BE-në.

Delegacioni i Bashkimit Europian dhe Ambasada Hollandeze në Tiranë kanë dhënë mbështetjen e tyre për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në bashkëpunim me EUPH.

Për të ndjekur më shumë aktivitetet e EUPH ndiqni faqen e tyre në Facebook dhe disa prej publikimeve të përgatitura deri tani duke klikuar në faqen e Academia.edu.