Në Qershor 2018 përfundoi me sukses projekti ‘Re-Debate 4.0 Rigjallërimi i kulturës së debatit’ i cili u zbatua nga organizata Liburnetik me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë përgjatë periudhës Shtator 2017 – Qershor 2018.
Projekti përfshiu në mënyrë direkte 500 nxënës dhe 54 mësues nga 27 shkolla të mesme në 14 qytete, ndërkohë në mënyrë indirekte nxënësit e përfshirë kanë qenë më shumë se 4,000. Këtu shtohen edhe 5,000 ndjekës të rregullt të Liburnetik, nga të cilët 800 kanë komunikuar/reaguar gjatë aktiviteteve të projektit me ekipin tonë në faqen e organizatës në Facebook.
Projekti synoi të ndihmojë të rinjtë gjimnazistë të klasave të X-ta dhe të XI-ta të zhvillojnë aftësitë komunikuese, të menduarit kritik, të inkurajojë tolerancën, respektin mbi idetë e ndryshme si edhe të promovojë rritjen e interesit tek të rinjtë mbi ngjarjet aktuale.
Falë një strategjie komunikimi, Liburnetik nëpërmjet faqes të internetit të dedikuar për projektin, paraqiti informacionet mbi zhvillimet e projektit dhe aktivitetet e tij, ndërkohë në faqen e Youtube u paraqitën të gjitha videot e realizuara. Një risi e projektit ishte transmetimi live në Facebook i të gjithë debateve duke i dhënë mundësi publikut të ndjekë çdo debat.
Projekti u zbatua duke kaluar në disa faza:
Faza e trajnimeve (shtator 2017 – shkurt 2018). Kjo fazë përfshiu shkollat e mesme të mëposhtme:
- nga qyteti i Tiranës: shkolla “Sami Frashëri”, “Ismail Qemali”, “Qemal Stafa”, “Petro Nini Luarasi”, “Andon Zako Çajupi” dhe “Harry Fultz”:
- nga qyteti i Kamzës: shkolla “Ibrahim Rugova” dhe “Isa Boletini”;
- nga qyteti i Durrësit: shkolla “Gjergj Kastrioti” dhe “Naim Frashëri”;
- nga qyteti i Shkodrës: shkolla “28 Nëntori” dhe “Jordan Misja”;
- nga qyteti i Lezhës: shkolla “Hydajet Lezha” dhe “Ishull-Lezhë”;
- nga qyteti i Burrelit: shkolla “28 Nëntori”;
- nga qyteti i Rrëshenit: shkolla “Gjimnazi Rrëshen”,
- nga qyteti i Vlorës: shkolla “Halim Xhelo” dhe “Ali Demi”;
- nga qyteti i Fierit: shkolla “Janaq Kilica” dhe “Perikli Ikonomi”;
- nga qyteti i Lushnjes: shkolla “18 tetori”;
- nga qyteti i Korçës: shkolla “Themistokli Gërmenji” dhe “Raqi Qirinxhi”;
- nga qyteti i Elbasanit: shkolla “Dhaskal Todri” dhe “Kostandin Kristoforidhi”;
- nga qyteti i Gramshit: shkolla “Shefqet Guzi”;
- nga qyteti i Gjirokastrës: shkolla “Asim Zeneli”.
Zbatueshmëria e aktivitetit të debatit u bë e mundur falë një pune të kujdesshme për përgatitjen e disa paketave kërkimore që shërbyen si tema të debateve:
- Arsimi i lartë, elementi i vetëm i zhvillimit të një rinie të suksesshme;
- Decentralizimi si element i rëndësishëm për zhvillimin e një shoqërie;
- Dëgjesat publike qytetare element demokratik për zhvillimin urbanistik të vendit;
- Tregtia e lirë globale është faktor vendimtar për zhvillimin global;
- Stimulimi i turizmit në vendet në zhvillim: strategji e mirë për daljen nga varfëria;
- A inkurajon interneti demokracinë;
- Simbolet fetare nuk mund të vendosen në mjedise publike;
- Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian a është dobiprurës për zhvillimin ekonomik, social e politik të vendit dhe Euroskptecizmi;
- Zhvillimi i konceptit të kujtesës kolektive ka ndikim pozitiv në edukimin e të rinjve të vendit;
- A është nacionalizmi një forcë shtytëse për zhvillim?
- Faza në nivel shkolle (Prill 2018)
- Faza në rang qyteti: Faza e Eliminatoreve dhe Finalet 18-19 Qershor 2018
Faza finale u programua duke përdorur skemën:
- 16 skuadra, 8 sfida, 8 fitues – Faza e Eliminatoreve në 18 Qershor 2018;
- 8 skuadra, 4 sfida, 4 fitues – Çerek finalet në 19 Qershor 2018;
- 4 skuadra, 2 sfida, 2 fitues – Gjysëm finalet në 19 Qershor 2018;
- 2 skuadra, 1 sfidë, 1 fitues – Finalja e vogël (për vendin e III dhe të IV) në 19 Qershor 2018;
- 2 skuadra, 1 sfidë, 1 fitues – Finalja e Madhe në 19 Qershor 2018.
Skuadrat e nxënësve sfiduan njëra-tjetrën sipas formatit të kampionatit, duke treguar një përgatitje të lartë dhe i vunë theks forcës së argumentit dhe evidencave/provave. U vu re në mënyrë të qartë përgatitja paraprake dhe strategjitë e mirëmenduara. Fituese u shpall skuadra e Shkollës ‘Janaq Kilica’ duke bërë të mundur që trofeu këtë vit të shkojë në Fier.
Projekti u pa me shumë interes nga të rinjtë, drejtoritë e shkollave dhe veçanërisht nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Interes patën gjithashtu media të ndryshme dhe organizata të shoqërisë civile, të cilat vlerësuan rëndësinë e kultivimit të kulturës së debatit.
Për më shumë informacion ju ftojmë të vizitoni faqes të internetit të dedikuar për projektin, kanalin e Youtube dhe faqen e Facebook. Për të ndjekur videon e plotë të debatit final mund të klikoni këtu, dhe për të ndjekur një video të shkurtër mbi finalen mund të klikoni këtu.