Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, në partneritet me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Delegacionin e Bashkimit Evropian, Fondacionin Friedrich Ebert Stiftung, organizoi raundin e katërt të Shkollës së Integrimit Europian në datat 18-22 Nëntor 2019 në ambientet e Kryesisë së Kuvendit në Tiranë dhe Shtëpisë së Europës.
Për të katërtin vit radhazi, Shkolla e Integrimit Europian synoi të identifikojë dhe angazhojë aktorë të spikatur nga të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, duke krijuar një grup të konsoliduar ekspertësh me njohuri të thella mbi procesin e integrimit europian, të cilët mund të kontribuojnë në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian (BE).
Shkolla e Integrimit Europian 2019 ofroi një kuadër të plotë teorik dhe praktik mbi zhvillimet më të fundit në BE, skenarët e mundshëm për të ardhmen e tij dhe veçanërisht të ardhmen e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ajo synoi gjithashtu të forcojë aftësitë negociuese të pjesëmarrësve me anë të metodave praktike për zhvillimin e negociatave efektive.
Shkolla e Integrimit Europian ka bashkëpunuar në vitet e kaluara me Kolegjin e Europës në Bruzh, Akademinë Europiane të Berlinit. Këtë vit fokusi ishte ofrimi i një kuadri edhe më të plotë praktik mbi eksperiencat e vendeve që kanë kaluar procesin e hapjes së negociatave duke bashkëpunuar me ekspertët më të mirë dhe negociatorët nga Kroacia, Mali i Zi, Serbia. Leksionet e tjera u mbajtën nga profesorë të njohur, si dhe ekspertë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar nga Universiteti i Zagrebit, Universiteti i Selanikut, Kolegji Europian i Fondacionit të Parmës, Qendra Austro-Franceze për përafrimin me Europën, si dhe seanca bashkëbisedimi me përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Delegacioni i BE në Shqipëri.
Programi i shkollës 2019 përfshiu pesë module kryesore:
- Moduli 1: Perspektivat e pranimit në BE, sfidat dhe strategjitë e negocimit (rasti i Kroacisë dhe Malit të Zi);
- Moduli 2: Financimet e BE-së, zhvillimi i projektit dhe negocimi i kapitullit 22;
- Moduli 3: Advokatia, roli i shoqërisë civile gjatë procesit të negociatave dhe përafrimi i legjislacionit të BE-në;
- Moduli 4: Zgjerimi i BE-së dhe roli i mediave në procesin e integrimit europian;
- Moduli 5: Integrimi në BE dhe bashkëpunimi rajonal / Ballkani Perëndimor / Procesi i Berlinit.
Gjatë Shkollës Europiane u përdor shumëllojshmëri e metodave të trajnimit si: leksione, prezantime praktike, si dhe diskutime ndërvepruese.
Nga një numër i lartë prej 182 aplikimesh, bazuar në një përzgjedhje transparente, e cila merr në konsideratë përfaqësimin e të gjithë grupeve të interesit dhe aktorëve të procesit të integrimit u përzgjodhën 35 pjesëmarrës:
- 17 përfaqësues nga administrata publike (11 nga qeverisja qendrore dhe institucionet e saj të varësisë dhe 6 nga institucionet e pavarura);
- 4 përfaqësues nga shoqëria civile;
- 3 përfaqësues nga vetëqeverisja vendore;
- 3 përfaqësues nga bota akademike;
- 4 përfaqësues nga media;
- 1 përfaqësues nga minoritetet;
- 3 përfaqësues nga parlamenti.
Për të mësuar më shumë mbi zhvillimin e Shkollës Europiane 2019 ju ftojmë të lexoni broshurën e shkollës dhe axhendën të cilat paraqesin informacion më të detajuar mbi temat, lektorët. Gjithashtu mund të konsultoni thirrjen për pjesëmarrës, listën e pjesëmarrësve dhe fotot. Për më shumë informacion mund të kontaktoni Këshilli Kombëtar të Integrimit Europian në adresën e e-mailit: Info.Kkie@parlament.al.
Foto nga Shkolla e Integrimit Europian 2019











