Në një kohë sfidash të mprehta e shumëdimensionale, disa prej tyre qëndrojnë persistente dhe kërcënuese si ngaherë. Ndër to, sigurisht që ndryshimi i klimës është rreziku më eminent. Për këtë arsye, Bashkimi Evropian (BE) është vendosur në pararojë të një ndryshimi të gjithanshëm e rrënjësor duke prezantuar Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane. Ajo është një paketë ambicioze për të ndryshuar mënyrën si zhvillohemi ekonomikisht dhe si qasemi ndaj burimeve energjetike, gjithashtu edhe për të rritur efikasitetin e tyre duke minimizuar gjurmën tonë në mjedis. Pikërisht për të bashkërenduar politikbërjen me atë të BE-së, edhe Ballkani Perëndimor ka ndërmarrë një angazhim të ngjashëm për të ardhmen e vet nën Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Source: EU NEAR Twitter Account
Mirëpo vënia në zbatim e këtyre strategjive ambicioze kërkon një përpjekje të përbashkët nga të gjithë aktorët dhe faktorët në hapësirën publike e atë private, duke u mbështetur në studime shkencore e hulumtime të praktikave të mira që mund të jetësohen në Shqipëri. Meqenëse vendit tonë i mungojnë kapacitetet njerëzore dhe informacioni e studimet, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) zbatoi projektin “QARKON: Platforma për kthimin e njohurive”, me qëllimin për të sjellë bashkë në një platformë ekspertët e dy fushave kyçe për ndërtimin e modeleve të zhvillimit të qëndrueshëm: në ekonominë qarkulluese (EQ) dhe energjitë e rinovueshme (ER).

Qëllimet e QARKON mund të përmblidhen në tre pika kyçe:
i) Mbledhja e njohurive të krijuara nga studiuesit shqiptarë të diasporës në fushat e ekonomisë qarkulluese dhe për energjitë e rinovueshme me fokus Shqipërinë;
ii) Rritjen e njohurisë së publikut mbi ekonominë qarkulluese dhe energjitë e rinovueshme;
iii) Advokimin e përfshirjes së kontributit të njohurive të diasporës në zbatimin e ekonomisë qarkulluese dhe energjive të rinovueshme në Shqipëri.
Projekti u zhvillua në dy faza: në fazën e parë është bërë kërkimi i studiuesve nga diaspora përmes motorëve online të kërkimit shkencor Scopus dhe Google Scholar dhe rekomandimeve nga rrjetet e ndryshme të studiuesve, si dhe janë vendosur kontaktet me studiuesit të cilët kanë dalë nga rezultatet e kërkimit; ndërsa në të dytën është krijuar bashkëpunimi me studiuesit në platformë.

Në diasporë është vënë re se nuk ka bollëk të studimeve mbi EQ dhe ER për kontekstin shqiptar. Megjithatë, platforma tashmë do të shërbejë si një pikë nxitje dhe mbështetje për gjenerimin e më shumë hulumtimeve e studimeve me impakt faktor mbi Shqipërinë në këto dy fusha.
Në funksion të advokimit dhe rritjen e ndërgjegjësimit mes aktorëve, janë vendosur kontakte virtuale dhe fizike përmes takimeve të shumta mes studiuesve dhe institucioneve shtetërore, shoqatave të biznesit, kompanive private, organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe pedagogëve të fushave të EQ dhe ER për të prezantuar platformën Qarkon dhe për të krijuar lidhje për bashkëpunime të mëtejshme.
Përgjatë projektit janë organizuar dy webinare të cilat bënë bashkë specialistë të fushës dhe aktorë që veprojnë në këto fusha. Webinari i parë kishte në qendër të diskutimit ekonominë qarkulluese dhe ishte titulluar “Qasja e Ekonomisë Qarkulluese në Shqipëri: Ndarje eksperiencash”.

Ndërsa fokusi i webinarit të dytë ishte mbi energjinë e rinovueshme, specifikisht për “Efektet e Krizës Energjetike dhe Ndërtimi i Politikave për Energjitë e Rinovueshme”.

Pjesëmarrësit në të dy webinaret dhanë kontribute të rëndësishme, duke vendosur edhe bazat për bashkëpunime të mëtejshme në integrimin e politikave në modelin zhvillimor të Shqipërisë.
Në të ardhmen puna e Platformës Qarkon do të fokusohet në evidentimin e temave kryesore që duhet të preken në studimet e ardhshme, për t’i dhënë një prerje praktike studimeve që do të përfshihen në platformë dhe të japë më shumë informacion mbi fushat e EQ dhe ER për studiuesit që do të zgjedhin të përfshihen në studimet e këtyre fushave. Gjithashtu, duke u nisur edhe nga partneritetet e krijuara, do të shqyrtohen mundësitë për të bashkëpunuar më tej me universitete, qendra kërkimore dhe organizatat që financojnë studimet shkencore në mënyrë që të sigurohen fondet për të ofruar grante studimore për ekspertët e diasporës që do të kryejnë studime në fushat e EQ dhe ER.
Për më shumë informacion mbi platformën online mund ta ndiqni në: Qarkon.al ose të kontaktoni në info@osfa.al
