Qëllimi i këtij projekti synon të rrisë pronësinë lokale të integrimit europian të Shqipërisë duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve përvetësuese të shoqërisë civile dhe administratës lokale për të përfituar më shumë fonde të financuara nga programet e BE. Për këtë arsye u fokusua në katër shtylla kryesore:
- Kuptimi i nevojave të publikut të gjerë dhe të grupeve të caktuara të shoqërisë (administrata vendore, shoqëria civile, komuniteti i biznesit, etj.) në lidhje me procesin e integrimit, njohuritë, vlerësimet, prioritetet etj. Në kuadër të këtij objektivi u krye një anketim me synimin e intervistimit të të gjithë aktorëve të shoqërisë civile në të gjithë Shqipërinë, i cili u plotësua nga 103 organizata dhe institucione. Ky anketim ndihmoi në përcaktimin e qartë të nevojave dhe problematikat kryesore për të matur nivelin e informacionit, strategjitë e komunikimit në përgjithësi, dhe pastaj strategjitë e inkurajimit të përfshirjes dhe rritjes së kapaciteteve teknike më në veçanti. Për më shumë info mund të klikoni në këtë link.
- Rritja e informacionit të publikut për procesin e integrimit dhe mbështetjes financiare të ofruar nga të gjitha instrumentat u arrit me ngritjen e faqes së internetit www.euforalbania.info e cila përmban informacion për të gjitha thirrjet e BE-së për Shqipërinë, jep informacion në lidhje me burimet e ndryshme të financimit, njoftimet për thirrjet, etj. Faqja e internetit pasurohet në vijim me thirrjet e reja për propozime në kuadër të IPA-s për shoqërinë civile dhe bashkëpunimin ndërkufitar.
- Inkurajimi dhe riorientimi i debatit për integrimin europian dhe veçanërisht asistencës së ofruar nëpërmjet të gjitha instrumentave të financimit të BE-së u arrit duke krijuar urat e para të komunikimit konkret sa i përket fondeve të BE-së për Shqipërinë. Për këtë janë organizuar takime me 40 organizata, me AMSHC dhe Minsitrinë e Integrimit Evropian si dhe me pushtetin vendor – 26 bashkitë e reja në 4 rajonet kryesore të Shqipërisë: Gjirokastër, Shkodër, Korçë dhe Vlorë.
- Në bashkëpunim me Shkollën Shqiptare për Administratën Publike u organizuan mbi 12 trajnime që synonin të rrisnin kapacitetet e shoqërisë civile dhe administratës vendore për përfitimin e fondeve të financuara nga të gjitha instrumentet të BE-së. Trajnimet synuan gjithashtu rritjen e bashkëpunimit mes organeve qendrore, organeve vendore dhe shoqërisë civile në lidhje me angazhimet në aplikimet dhe zbatimet e këtyre lloj programeve si dhe shkëmbimin e eksperiencës me vendet e tjera të rajonit si Kroaci, Mali i Zi dhe Serbinë duke mësuar nga eksperienca e tyre dhe për të përgatitur sa më mirë shoqërinë civile. Për më shumë informacion lidhur me organizimin e trajnimeve vizitoni faqen e internetit dhe faqen e Facebookut.
Në përfundim organizatat e shoqërisë civile dhe qeverisja vendore arritën një nivel më të lartë informacioni mbi procesin e integrimit dhe asistencën financiare që ofrohet, kapacitete njerëzore më mirë të informuara mbi prioritetet dhe procedurat e programeve të financuara nga BE-ja, si dhe koordinim i përmirësuar e rritje të kontakteve dhe formave të tjera të komunikimit duke mundësuar dhe përgatitjen e projekt propozimeve së bashku.