Deklaratë për Media
Rritja e përfshirjes qytetare në vendimmarrje dhe politikëbërje
Ligji “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, një nismë tjetër ligjore e nisur në vitin 2011 nga Fondacioni Soros, është miratuar sot nga Kuvendi i Shqipërisë me votat e shumicës. Në hartimin e këtij ligji kanë kontribuar aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile, në përmbushje të angazhimeve që Shqipëria ka ndërmarrë në kuadër të anëtarësimit të saj në Partneritetin për Qeverisjen e Hapur (Open Government Partnership).
Qëllimi kryesor i këtij ligji është të inkurajojë pjesëmarrjen e publikut dhe grupeve të interesit në vendimmarrje dhe qeverisje, të rrisë efiçencën dhe shkallën e transparencës dhe të përgjegjësisë së autoriteteve publike ndaj publikut dhe palëve të interesuara. Ky ligj e bën dialogun efektiv dhe përmirëson cilësinë e politikave dhe akteve juridike në tërësi.
Ligji institucionalizon konsultimin publik në hartimin dhe miratimin e projektligjeve, strategjive kombëtare dhe vendore si dhe politikave me interes të lartë publik. Megjithatë, ky ligj lë jashtë fushës së zbatimit të tij aktet nënligjore normative, të cilat përbëjnë shumicën e kuadrit legjislativ, i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat e qytetarëve dhe grupeve të interesit.
Z. Andi Dobrushi, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Soros, duke përshëndetur miratimin e këtij ligji fton të gjithë autoritetet publike të kontribuojnë në vënien në jetë të tij, si edhe inkurajon shoqërinë civile të monitorojë zbatimin në praktikë.