Shoqëria civile kontribuon në vendosjen e një standarti të ri në përputhje me Gjykatën Europiane të të drejtave të njeriut

Date April 4, 2012 - April 4, 2012

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në datën 7 mars 2012, i dha fund përpjekjeve disa vjeçare të ankuesve A.Lika dhe V.Laska dhe vendosi rishikimin nga ana e Gjykatës së Apelit Shkodër të vendimit penal të dhënë ndaj tyre. Ankuesit A.Lika dhe V.Laska me përfaqësimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH) dhe mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros i kërkuan Gjykatës së Lartë rishikimin e vendimit penal të formës së prerë të dhënë ndaj tyre, vendim ky i marrë në shkelje të drejtës për proces të rregullt ligjor. Fondacioni Soros dhe KSHH shprehin vlerësimin e tyre për vendimin e dhënë nga Gjykata e Lartë, e cila me profesionalizëm dhe në respektim të të drejtave të njeriut vendosi një standart të ri në praktikën gjyqësore shqiptare për rishikimin e vendimeve penale të formës së prerë në përputhje me rekomandimet e Gjykatës së Strasburgut.

Në vitin 2002, ankuesit A.Lika dhe V.Laska u dënuan nga gjykata e rrethit gjyqësor Pukë me 13 vjet burgim secili për veprat penale të vjedhjes me armë dhe atë të armëmbajtjes pa leje, vendim ky i lënë në fuqi nga gjykata e Apelit Shkodër dhe Gjykata e Lartë. Duke marrë shkas nga shkeljet serioze të vëna re gjatë gjykimit të çështjes, në vitin 2004, çështja u paraqit pranë Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Në prill të vitit 2010, Gjykata e Strasburgut vendosi se e drejta e aplikantëve për një gjykim të drejtë ishte shkelur rëndë nga autoritetet gjyqësore shqiptare dhe se rigjykimi i çështjes në nivel kombëtar përfaqësonte të vetmin mjet efektiv për rivendosjen në vend të të drejtave të tyre të shkelura. Pas këtij vendimi, në nëntor 2010, ankuesit A.Lika dhe V.Laska, me mbështetjen e Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe Fondacionit Soros investuan Gjykatën e Lartë për ekzekutimin e drejtpërdrejtë të vendimit të Gjykatës së Strasburgut në mungesë të parashikimit ligjor në Kodin e Procedurës Penale.

Në vijim për të kontribuar në mënyrë profesionale në gjykimin e kësaj çështjeje, iniciatorët e kësaj nisme i kanë dërguar për herë të parë Gjykatës së Lartë një Opinion Ligjor (Amicus Curia) lidhur me mundësitë juridike që ofron sistemi ligjor shqiptar për rihapjen e procesit penal të përfunduar, pas konstatimit nga Gjykata e Strasburgut të shkeljes së procesit të drejtë si dhe për të mundësuar zbatimin dhe ekzekutimin e plotë të vendimit të kësaj Gjykate.

Andi Dobrushi, Drejtor i Fondacionit Soros thekson se: “Gjykata e Lartë i dha zgjidhje ngërçit ligjor të krijuar si pasojë e mungesës së parashikimit përkatës në Kodin e Procedurës Penale dhe përmes kësaj praktike i hapi rrugë rishqyrtimit të çështjeve penale për të cilat Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar shkelje të Konventës përkatëse”. Vendimi i Gjykatës së Lartë është në përputhje edhe me vlerësimin e shprehur nga përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, që morën pjesë në gjykim.

Vjollca Mecaj, Drejtore ekzekutive e KSHH, nënvizon faktin se “Arsyetimi kushtetues e ligjor për zgjidhjen e kësaj çështjeje tregoi ndjeshmërinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve për respektimin e të drejtave të njeriut”. Megjithatë, zgjidhja e dhënë nga Gjykata e Lartë nuk duhet të shërbejë si shkak për të justifikuar mospërputhjen e Kodit të Procedurës Penale me detyrimet konventore të shtetit tonë, prandaj i bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të kryejnë amendimet e nevojshme në këtë drejtim.

Për më shumë informacion mbi çështjen, shikoni:
– vendimin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut klikoni këtu
– Amicus Curia e përgatitur klikoni këtu