Forumi i Politikave të Integrimit / EU Policy Hub (EUPH) me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, po zbaton projektin ‘Informimi i vazhdueshëm, angazhimi pro-aktiv, dhe ndikimi pozitiv në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian’. Ky projekt ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve dhe ndërgjegjësimin për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht të të rinjve, monitorimin e zbatimit të politikave publike bazuar në nevojat dhe sfidat e vendit në procesin e integrimit evropian, si dhe ushtrimin e ndikimit pozitiv në ecurinë e procesit të integrimit duke nxitur debatin publik për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Iniciativa e EUPH, nën logon “Hub Monitor” boton dokumente politikash të cilat ofrojnë vlerësime objektive dhe cilësore mbi çështje kryesore që lidhen me integrimin evropian dhe përmbushjen e zbatimit të angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të hapjes së negociatave. Këto dokumente politikash synojnë trajtim të thelluar të politikave dhe përafrimit të legjislacionit kombëtare me acquis e BE-së duke monitoruar nga afër procesin e integrimit në BE dhe të institucioneve të përfshira në të.
Nën moton “Të rinjtë për Evropën” (You-th for Europe), kanë nisur në qytetin e Kamzës, Peshkopisë, dhe Urës Vajgurore takimet me organizatat lokale rinore. Këto takime shërbejnë për ndërgjegjësimin paraprak mbi instrumentet të cilat u lejojnë atyre përfshirjen në vendimmarrjen lokale duke advokuar për interesin e të rinjve. EUPH do të punojë me këto organizata nëpërmjet trajnimeve të fokusuara tek politikat dhe mundësitë e ofruara nga BE në fushën e rinisë, mbi mënyrën se si të rinjtë mund të jenë qytetarë aktivë në promovimin e integrimit në BE, zhvillimin e dialogut publik dhe debatit midis të rinjve dhe organizatave rinore nga njëra anë dhe strukturave shtetërore përgjegjës për integrimin në BE.
Në kuadër të projektit po realizohen disa tryeza debati me institucionet publike, organizatat e shoqërisë civile dhe aktorët e angazhuar në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë për evidentimin e problematikave, si dhe promovimin e axhendës së reformave dhe procesin e hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE nëpërmjet intensifikimit të debatit publik për rëndësinë dhe përfshirjen aktive qytetare në proces. EUPH dëshiron ta shndërrojë këtë praktikë evropiane në një element pozitiv të nxitjes dhe zhvillimit të një debati cilësor dhe ndërveprimi midis anëtarëve të shoqërisë civile, politik-bërësve dhe publikut në përgjithësi.
Për të ndjekur aktivitetet e EUPH në kuadër të këtij projekti mund të ndiqni faqen e internetit, faqen në Facebook, kanalin në Youtube dhe faqen në Academia.edu. Për më shumë informacion rreth projektit mund të kontaktoni info@eupolicyhub.eu