Projekti ‘Shtëpia e Konsumatorit – forcimi i zbatimit të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të konsumatorëve në Shqipëri’, zbatohet nga Qendra ‘Konsumatori shqiptar’, i mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.
Qëllimi i këtij projekti është ndërgjegjësimi i konsumatorëve mbi të drejtat e tyre dhe përmirësimi i reagimit të institucioneve publike në trajtimin e çështjeve të lidhura me të drejtat e konsumatorëve, kur ato shkelen. ‘Shtëpia e konsumatorit – 2018’ synon ta informoj dhe ndërgjegjësojë konsumatorin, dhe ta nxisi atë të ankohet, për përmbushjen dhe realizmin e të drejtave të tij, që mund të cënohen nga tregtarët.
Ky projekt zbatohet si nevojë e shoqërisë shqiptare për të reaguar ndaj mungesës së veprimit ose veprimit me ritme të ngadalta nga ana e institucioneve publike, përballë mospërmbushjes së detyrimeve nga ana e tregtarëve.
Sesionet e vazhdueshme të informimit, dhënia e modeleve pozitive, trajtimi i secilit rast në rrugë administrative analizimi nga ana e ekspertëve të Qendrës dhe ngritja e tyre pranë institucioneve, kanë ndikuar në rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve dhe në raportimin në rritje të rasteve pranë Qendrës.
Mbrojtja e konsumatorit është një nga prioritetet e Bashkimit Europian, ku shteti shqiptar është vlerësuar në Progres Raportet përgjatë viteve me një performancë jo të kënaqëshme. Ky projekt është një vlerë e shtuar në kuadrin e mbështetjes të shoqërisë civile në këtë drejtim, pasi ngritja e zërit të tyre është shumë i domosdoshëm. Përballja me institucionet publike dhe përfshirja në politikat për përmirësimin e tyre në fushën e mbrojtjes së konsumatorit ndikon drejtpërdrejtë në nivelin e jetesës së konsumatorëve, duke ofruar më shumë siguri, cilësi në produkte dhe shërbime, si dhe mbrojtje e interesave të tyre ekonomikë.
Projekti zbatohet në Qarkun e Durrësit dhe të Tiranës, por rastet dhe problematikat e trajtuara prekin të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Projekti zbatohet përgjatë periudhës Qershor 2018 – Maj 2019 dhe është i orientuar në tre drejtime kryesore:
1. Informimi dhe nxitja e konsumatorëve për të reaguar mbi të drejtat dhe mbrojtjen e tyre.
2. Asistencë administratrive dhe ligjore qytetarëve për mbrojtjen e të drejtave të tyre si konsumatorë.
3. Përmirësimi i punës së institucioneve të përfshira në fushën e mbrojtjes së konsumatorit.
Për më shumë informacion mbi projektin mund të ndiqni faqen e Facebookut ose mund të kontaktoni qendrakonsumatorishqiptar@gmail.com.
Qendra “Konsumatori Shqiptar”/ Albanian Consumer Center






