Dëshirojmë të tërheqim vëmendjen tuaj mbi vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave në lidhje me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe në përputhje me Ligjin e TVSH nr. 92/2014. Në të janë pasqyruar një seri ndryshimesh të rëndësishme për sa i përket TVSH-së mbi aktivitetin ekonomik të organizatave jo-fitimprurëse.
Ndryshimet vijnë si rezultat i një përpjekje të gjatë disa vjecare dhe pjesë e platformës që sektori diskutoi dhe ra dakord me qeverinë në konferencën e dhjetorit 2013 (http://www.partnersalbania.org/Deklarate_e_sektorit.pdf).
Përmirësimi i regjimit fiskal për sektorin jo-fitimprurës është pjesë e asaj që Partnerët Shqipëri me mbështetjen dhe pjesëmarrjen e Grupit të Punës për mjedisin mundësues për OJF-të (http://www.partnersalbania.org/Grupi_punes_per_mjedisin_mundesues_per_shoqerine_civile_Shqiperi.pdf) ka pasur në fokus në vitin e fundit, përkrah çështjeve të tjera si Rezoluta e Parlamentit për Njohjen dhe Forcimin e Rolit të Shoqërisë Civile dhe Këshilli Kombëtar për Shoqërinë Civile.
Këto janë të gjitha çështje, pjesë e procesit të madh të integrimit në BE, që prekin shoqërinë civile në Shqipëri dhe të mbështetura nga BE -projekti “Acquis e Shoqërisë Civile Ballkanike: Fuqizimi i Potencialit Advokues e Monitorues, dhe Kapaciteteve të OSHC-ve”, Olof Palme International Center, Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë, Ambasada Amerikane, etj.
Partnerët Shqipëri po punon për të përgatitur një analizë të ndryshimeve të fundit fiskale në kuadrin ligjor që prek sektorin e OJF-ve, duke ndihmuar sektorin për të kuptuar e zbatuar më mirë, si dhe për të përfituar nga këto ndryshime. Kjo do të përbëjë gjithashtu edhe bazën për përpjekjet e ardhshme advokuese të sektorit në këtë drejtim.
Në formë të përmbledhur, ndryshimet sjellin qartësinë që ka munguar në dekadën e fundit duke krijuar shumë ambiguitet sidomos në lidhje me aktivitetin ekonomik të sektorit jo-fitimprurës. Disa nga ndryshimet:
- Ligji i TVSH-së njeh si subjekt të përjashtimit nga taksat fondet, grantet dhe kuotat e anëtarësisë për OJF-të;
- Statusi i përfitimit publik është shfuqizuar. Tani, mallrat dhe shërbimet e ofruara nga organizatat jo-fitimprurëse dhe të përjashtuara nga TVSH-ja janë të përcaktuara në këtë vendim të qeverisë dhe në procedurë e re.
- Vendimin për përjashtimin nga TVSH-ja tanimë e ka Drejtoria Rajonale eTatimeve, ndërsa në vendimin e mëparshëm ishte kompetencë e Ministrit të Financave.
- Deri tani, Ligji për OJF-të ka qenë i paqartë në lidhje me përqindjen e të ardhurave të lejuara për t’u gjeneruar përmes aktivitetit ekonomik të OJF-ve.Vendimi i ri përcakton një tavan prej 20% të të ardhurave vjetore, si nivelin e lejuar për veprimtari ekonomike të kryer nga OJF-të.
- OJF-të që përfitojnë nga përjashtimi i TVSH-së për mallrat dhe shërbimet e ofruara, përfitojnë njëkohësisht edhe përjashtimin nga TVSH-ja për importet.
- Ligji iOJF-ve kërkon rregullimin e aktivitetit për ngritjen e fondeve, por deri më tani ka qenë i parregulluar. Vendimi i qeverisë prezanton rregulla për aplikimin e TVSH-së për aktivitetet e ngritjes së fondeve të kryera nga OJF-të.
- Vendimi i Këshillit të Ministrave, përforcon si pjesë të procedurave të TVSH-së, detyrimin e qeverisë për rimbursimin e TVSH-së për OJF-të, e cila rrjedh nga aktiviteti i mbështetur nëpërmjet fondeve dhe financimeve pjesë e marrëveshjeve të qeverisë shqiptare.
Ju lutem klikoni linkun për Vendimin e Këshillit të Ministrave: http://www.legjislacioni.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2014/PDF-2014/200-2014.pdf
dhe linkun për Ligjin e TVSH-së nr. 92/2014: http://www.parlament.al/web/pub/ligj_nr_92_dt_24_7_2014_18593_1.pdf
Njoftim nga Partners Albania.