Tryezë e rrumbullaktë mbi funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare

Date March 5, 2014 - March 5, 2014

Featured Image

Më datë 18 mars 2011, Instituti për Studime Gjyqësore dhe Kushtetuese organizoi një tryezë të rrumbullakët mbi problematikat e hasura në funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare. Kjo veprimtari u krye në kuadër të projektit “Studim mbi problemet kushtetuese dhe ligjore lidhur me Komisionet Hetimore Parlamentare” të mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Në tryezë morën pjesë juristë konstitucionalistë, përfaqësues të misioneve ndërkombëtare që punojnë në Shqipëri si Presenca e OSBE-së në Shqipëri, USAID, Misioni EURALIUS, si edhe përfaqësues të lartë të institucioneve kryesore kushtetuese dhe aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile. Veprimtaria u mbulua gjerësisht si nga media e shkruar dhe ajo elektronike.

Tryeza u hap me prezantimet e Z. Fehmi Abdiu, Drejtor Ekzekutiv i Institutit dhe Z. Njazi Jaho, Zv.Kryetar i bordit, të cilat përqendroheshin në ofrimin e një pikture të qartë mbi funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare ndër vite dhe të rezultateve konkrete që ato kishin prodhuar. Diskutimet e pjesëmarrësve në tryezë kishin të bënin me debatin për ngritjen dhe objektin e komisioneve hetimore parlamentare, rëndësinë e respektimit të parimit të balancimit të pushteteve, parimit të prezumimit të pafajësisë dhe sidomos nevojës për të ndarë politikën nga kompentecat dhe hetimi gjyqësor. Gjithashtu, u shqyrtua raporti ndërmjet hetimit parlamentar dhe hetimit nga ana e prokurorisë sidomos në rastin kur këto dy procese kanë për qëllim investigimin e të njëjtës ngjarje dhe zhvillimi i tyre në të njëjtën kohë paralelisht nga të dy institucionet. Vlerësimi i rëndësisë së publicitetit të veprimtarisë së komisioneve hetimore parlamantare e analizuar me nevojën për ruajtur konfidencialitetin dhe të drejtën e privatësisë ishin një tjetër temë me rëndësi e trajtuar nga konstitucionalistët dhe ekspertët e tjerë më përvojë në këtë fushë.Nga ana tjetër u theksua se hetimi parlamentar është i rëndësishëm pasi shpreh qëndrimin politik të përfaqësuesit më të lartë të popullit lidhur me një ngjarje të caktuar, e cila përbën shqetësim për shoqërinë dhe ky qëndrim duhet t’i shërbëjë hetimit gjyqësor të saj nga ana e organeve të specializuara.

Mendimet dhe sugjerimet e shprehura nga pjesëmaresit në tryezë, si dhe ato të Konferëncës Shkencore do t’i shërbejnë finalizimit të studimit mbi problematikat në funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare. Nga të gjithë pjesëmarrësit veprimtaria u vlerësua si mjaft pozitiv për temën e përzgjedhur, aktualitetin dhe rëndësinë e saj në jetën politike shqiptare. Gjithashtu, u vlerësua fakti që është pikërisht shoqëria civile dhe klasa intelektuale të cilët në rastin konkret shprehin qëndrimin profesional të tyrin për një çështje me rëndësi me synim për t’ia prezantuar atë më pas klasës politike dhe për të kontribuar në përmirësimin e situatës aktuale.