Vlerësimi i rreziqeve për sigurinë kombëtare/aftësia e shtetit e shoqërisë për të reaguar

Date December 17, 2015 - December 17, 2015

Me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare zbatoi projektin “Vlerësimi i rreziqeve për sigurinë kombëtare/ aftësia e shtetit e shoqërisë për të reaguar: lindja e një ndikimi të ri radikal dhe ekstremizmi fetar në Shqipëri”.

Qëllimi i këtij projekti ishte ti përgjigjej me analizë të saktë kërkimore dhe rekomandime politikash pikërisht situasës së re në Shqipëri ku vihet re një rritje e radikalizmit dhe ekstremizmit fetar e demonstruar në formën më ekstreme përmes fenomenit të luftëtarëve shqiptarë të përfshirë në konflikte në vende si Siria dhe Iraku.

Skuadra e projektit e drejtuar nga Kërkuesi i Asociuar pranë IShSN dhe pedagogu i cështjeve të sigurisë Dr. Enri Hide ndërmori zhvillimin e një analizë të detajuar, realiste dhe gjithëpërfshirëse të fenomenit të ekstremizmit fetar dhe militantizmit të radikalëve fetarë nga Shqipëria dhe rajoni si dhe vlerësimin e kapacitetin e shtetit dhe shoqërisë shqiptare për të reaguar ndaj fenomenit të radikalizimit fetar. Ky raport nuk ishte një qëllim në vetvete por një mjet për të gjeneruar e bërë publike rekomandime konkrete për të përballuar/kontrolluar fenomenin në rritje të ekstremizmit fetar. Një tjetër rezultat ishte vazhdimi i një debati të shëndetshëm dhe të informuar në media mbi fenomenin.   

Metodologjia e projektit përfshiu kërkime përmes një sondazhi kombëtar, tryezash të rrumbullakta dhe intervistash të shumta me vendim-marrës, përfaqësues të komunitetit të besimtarëve, imamëve, ekspertëve të sigurisë, forcave të rendit, etj.

Raporti përfundimtar u diskutua në një konferencë kombëtare me panelistët:

  • Besnik Mustafaj, Drejtor Ekzekutiv i Forumit Shqiptar për Aleancë të Qytetërimeve
  • Arian Starova, President i Këshillit Atlantik të Shqipërisë
  • Ermir Gjinishi , ish-nënkryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe
  • Ilir Dizdari, kryetar i Komitetit të Kulteve të Shqipërisë 

Raporti zgjoi interesin e shumë mediave kombëtare në vend dhe vijoi me intervista të thelluara të autorit kryesor të raportit. Për të konsultuar studimin mund të klikoni këtu.

Për mbulimin mediatik mund të klikoni në lidhjen: http://aiis-albania.org/?q=node%2F317