Fondacioni Shoqëria e Hapur në Shqipëri nisi të vepronte zyrtarisht në vitin 1994 si pjesë e rrjetit të Fondacioneve për Shoqëri të Hapur. Fondacionet për Shoqëri të Hapur i kanë qëndruar pranë Shqipërisë dhe shoqërisë shqiptare që në fillim të viteve 90‘ duke ndihmuar dhe mbështetur forcimin e fjalës dhe medias së lirë. Zyrtarisht zyra e Fondacionit për Shqipëri të Hapur në Shqipëri u çel në vitin 1994.

Ndërsa Shqipëria niste tranzicionin për të dalë nga dekada të tëra izolimi gjatë sistemit totalitar, Fondacioni u fokusua në mbështetjen dhe krijimin e bazave të forta për të drejtat e njeriut, lirisë së shprehjes, aksesit në kujdesin shëndetësor, në arsim dhe internet, si dhe në promovimin e vlerave dhe parimeve themelore demokratike. Mbështetja e shoqërisë civile ka qenë dhe mbeti për dekada mision i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Fuqizimi i të rinjve, mendimit kritik të tyre, përgatitja për sfidat e të ardhmes ka qenë po ashtu një hallkë e rëndësishme e fokusit të punës së Fondacionit në Shqipëri, ashtu sikundër fuqizimi dhe integrimi në jetën shoqërore i komuniteteve të margjinalizuara. Arritjet e fondacionit në krijimin e modeleve të suksesit në komunitetin Rom dhe Egjiptian janë të shumta, derisa sot anëtarët e komunitetit janë kthyer në advokues të kauzave të tyre.

Integrimi Evropian dhe ecuria e shpejtë këtij procesi për Shqipëri ka qenë po ashtu një prioritet i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë duke kontribuar në ndërtimin e mendësisë së duhur për brezat e rinj si dhe në zhvillimin e qindra analizave dhe botimeve që kanë adresuar sfidat e dhe objektivat e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së.

Nga Janari 2023, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë është pjesë e Fondacioneve për Shoqërinë e Hapur – Ballkani Perëndimor, që përfshin fondacionet për shoqëri të hapur në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.